Secondary Adv

Shtrenjtohet sërish çmimi i naftës, në pikat e pakicës arrin 182 lekë për litër

Çmimi i naftës në disa pika të shitjes me pakicë në Tiranë është rritur sërish dhe ka arritur në 182 lekë për litër.

Sipas vëzhgimeve në treg, rritja është reflektuar në disa pika të operatorëve kryesorë si “Kastrati”, “Bolv” dhe “Elda”. Në një pikë të “Kastrati” pranë tregut të Medresë, çmimi i naftës është rritur në 182 lekë për litër nga 175 lekë që ishte më parë.

 

Edhe në pikat e kompanisë “Elda” çmimi është rritur nga 179 në 182 lekë për litër, ndërsa në disa pika të operatorit “Bolv” rritja ka qenë gjithashtu deri në 7 lekë për litër.

 

Rritja pas tensioneve në Lindjen e Mesme

Para nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në tregun vendas ishte rreth 175 lekë për litër dhe kishte mbetur i qëndrueshëm që nga tetori i vitit 2024.

 

Rreth katër ditë pas fillimit të konfliktit, çmimi fillimisht u rrit në 179 lekë për litër në disa pika të Tiranës dhe tani ka arritur në 182 lekë për litër.

 

Rritje e fortë edhe në bursat ndërkombëtare

Rritja e çmimeve në tregun vendas po ndjek shtrenjtimin e naftës në bursat ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent ka arritur rreth 88.9 dollarë për fuçi, nga 65 dollarë për fuçi që ishte para nisjes së sulmeve.

 

Sipas operatorëve, çmimi i naftës së rafinuar është rritur nga rreth 700 dollarë për ton para sulmeve në 900 dollarë për ton, ndërsa pas një sulmi me dron ndaj rafinerisë Ras Tanura në Arabinë Saudite ka arritur deri në 1,150 dollarë për ton.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat